Shtime, 27 maj 2025- Komiteti për Komunitete mbajti sot mbledhjen e tij të pestë, nën udhëheqjen e kryesuesit Bajram Ilazi.
Mbledhja filloi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, ndërsa më pas u kalua në shqyrtimin e Draft-Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2026-2028, e cila pritet të dërgohet në diskutim publik.
Gjatë diskutimit, asambleistja dhe njëherësh anëtarja e komitetit Rrezartë Ramadani kërkoi nga kryesuesi që të bëjë thirrje për pjesëmarrje aktive të komuniteteve, në mënyrë që edhe kërkesat dhe nevojat e tyre të reflektohen në planifikimin buxhetor.
Edhe asambleisti Besnik Seferi theksoi rëndësinë që përfaqësuesit e komuniteteve të adresojnë me kohë projektet e tyre, cilado qoftë natyra e tyre, gjatë dëgjimeve publike të organizuara nga KAB-i.
Në rendin ishte edhe Draft-Plani i punës së ekipit për të drejtat e fëmijëve për periudhën 2025-2027, pas përfundimit të fazës së diskutimit publik.
Një tjetër pikë tjetër ishte informimi nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) lidhur me mbështetjen dhe përfshirjen e komuniteteve ashkali dhe rom në komunën e Shtimes në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.
Të gjitha pikat e parashikuara për këtë mbledhje u rekomanduan për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës së Shtimes, e cila do të mbahet të enjten, më 29 maj 2025.