Shtime, 25 gusht 2025- Kuvendi i Komunës së Shtimes, nën drejtimin e kryesuesit të Kuvendit, Adnan Ademi, ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, ka mbajtur sot mbledhjen e VIII-të të rregullt për këtë vit.
Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Ademi prezantoi rendin e ditës dhe bëri të ditur shtimin e një pike shtesë, të propozuar nga OSBE, që kishte të bënte me miratimin e Deklaratës kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike në nivel lokal. Pas miratimit të kësaj pike dhe ekstrakt-procesverbalit të mbledhjes së kaluar, kuvendi vijoi me shqyrtimin e pikave tjera të rendit të ditës.
Drejtori i Financave, Besnik Ahmeti, prezantoi disa nga çështjet kryesore të mbledhjes. Fillimisht ai paraqiti Planin Buxhetor Komunal 2026-2028, i cili u konsiderua dokument me rëndësi të veçantë për planifikimin financiar të viteve në vijim, e i cili do të jetë ne diskutim publik, dhe i cili u votua unanimisht nga asambleistët.
Më pas, drejtori elaboroi Raportin gjashtëmujor buxhetor për periudhën Janar-Qershor 2025, duke theksuar se në gjashtëmujorin e parë është shpenzuar mbi 49% e buxhetit të planifikuar. Ai sqaroi se një pjesë e madhe e shpenzimeve i është dedikuar projekteve kapitale dhe realizimit të obligimeve të parapara me planin financiar. Ky raport pas diskutimeve nga asambleistët u miratua me shumicë votash.
Në vijim, drejtori Ahmeti prezantoi edhe Raportin e Auditimit për Pasqyrën Vjetore Financiare 2024 të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Ai theksoi rëndësinë e këtij raporti për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke sqaruar vërejtjet dhe masat që janë ndërmarrë për adresimin e tyre. Ky raport, pas diskutimeve nga asambleistët dhe fjalës së kryetarit të komunës, Dr. Qemajl Aliu, u miratua nga kuvendi.
Në fund, kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe Planin e Veprimit mbi rekomandimet e Raportit të Auditimit 2024, Draft-Planin për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për rajonin Ferizaj-Gjilan, dokument ky që synon menaxhimin më efikas të mbeturinave dhe përmirësimin e kushteve mjedisore.
Mbledhja u përmbyll me pikën e fundit të rendit të ditës, Pyetje-Përgjigje.