Shtime, 21 qershor 2025- Në dy qendra të testimit, përkatësisht në Gjimnazin “Naim Frashëri” dhe në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Shtime është mbajtur Provimi i Maturës Shtetërore. Në këtë proces të testimit janë përfshirë gjithsej 239 nxënës maturantë të shkollave të mesme të larta të komunës sonë.
Në Provimin e Maturës Shtetërore nxënësit tanë, sot kanë sfiduar njohurit e tyre në lëndët obliguese: Gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë angleze, matematikë dhe lëndët zgjedhore.
Testi i Maturës është organizuar vetëm në një ditë dhe ka pasur gjithsej 100 kërkesa, pra nga 25 pyetje për secilën lëndë.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kriteri i kalueshmërisë do të mbetet i njëjtë, ndërsa rezultatet do të publikohen më 30 qershor, ndërsa certifikatat digjitale për të gjithë maturantët që kalojnë provimin do të jenë të disponueshme për shkarkim nga platforma shtetërore e-Kosova. Ata që nuk e kalojnë provimin e maturës në afatin e parë, mund t’i nënshtrohen këtij testimi në afatin e dytë, që do të mbahet më 28 gusht.