Shtime, 16 shkurt 2026- Në kuadër të implementimit të Projektit për Banim Social Adekuat në Kosovë, Njësia e Menaxhimit të Projektit (NjMP) për renovimin e shtëpive të familjeve në nevojë ka realizuar një vizitë pune në Komunën e Shtimes, si komunë aplikuese në këtë projekt.
Qëllimi i kësaj vizite ishte që, pas pranimit të Raportit të Vlerësimit nga NjMP për komunën tonë, të sqarohen të gjitha rekomandimet e dhëna dhe, bazuar në gatishmërinë e komunës, të fillohet sa më shpejt me implementimin e nën-projekteve për të cilat kemi aplikuar në kuadër të këtij programi.
Gjatë takimit me Njësinë për Implementimin e Projektit (NjIP), të pranishëm ishin edhe Gzim Gashi, udhëheqës i komisionit komunal, si dhe Anita Kurti, shefe e kabinetit të kryetarit të komunës dhe gjithë akterët relevantë për realizimin e suksesshëm të projektit.
Për realizimin e këtij projekti, renovimin e shtëpive për familjet e cenueshme në komunën tonë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 250 mijë euro.