Shtime, 4 qershor 2025- Është mbajtur sot tryezë me temën: “Ngritja dhe fuqizimi i mekanizmave koordinues në nivel lokal, fuqizimi i psikologëve dhe sociologëve në institucionet komunale për të ngritur kapacitetet e tyre rreth shenjave të dhunës në familje, ndikimin e saj te nxënësit dhe rëndësisë së raportimit të këtyre rasteve”.
Tryeza u hap me prezantimin e nënkryetarit të Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, njëherësh edhe kryesues i mekanizmit kundër dhunës në familje në këtë komunë. Ai njoftoi të pranishmit për mënyrat e identifikimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës familjare, sidomos ato që prekin drejtpërdrejt nxënësit, si dhe për rëndësinë e raportimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Drejtorisë së Arsimit, shkollave, Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë së Kosovës.
“Fuqizimi i këtij mekanizmi është jetik për identifikimin në kohë të rasteve të dhunës në familje, e sidomos kur viktimat janë fëmijë. Roli i psikologëve dhe mësimdhënësve është i pazëvendësueshëm në këtë proces”, tha nënkryetari Beqa.
Ismet Lepaja, përfaqësues nga Departamenti për të Drejtat e Njeriut i OSBE-së, tha se ky mision ka nisur këtë fushatë të takimeve përfshirëse duke angazhuar edhe psikologët e shkollave. Ai nënvizoi faktin se në disa shkolla mungojnë psikologët, gjë që e bën të vështirë identifikimin dhe trajtimin e hershëm të dhunës në familje.
Ndëra komandanti i Stacionit Policor në Shtime, Haxhi Behluli, dha informata rreth trajtimit të rasteve të dhunës në familje, duke disa sfida në trajtimin efektiv të këtyre rasteve.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, Mimoza Salihu-Qeriqi, tha se si institucion shëndetësor, kanë përgjegjësi të veçantë në identifikimin e rasteve të dhunës dhe duhet të forcojmë bashkëpunimin me shkollat dhe institucionet e tjera për të ndërhyrë në kohë
Psikologët e shkollave thanë se dhuna ndaj fëmijëve është një dukuri e pranishme dhe me forma të ndryshme. Ata raportuan se në shumë raste mungon përkrahja institucionale për trajtimin e rasteve.
Lulzim Sahiti, udhëheqës i Zyrës së Arsimit në Komunën e Shtimes, falënderoi nënkryetarin Beqa për organizimin e tryezës dhe për krijimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje, si dhe komandantin Behluli për gatishmërinë dhe bashkëpunimin institucional.
Ndërsa Filloreta Isufi nga Qendra për Punë Sociale (QPS) në Shtime siguroi se të gjitha rastet e referuara trajtohen në mënyrë profesionale.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga strehimorja për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e mbështetjes profesionale, nevoja për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla, si dhe ndikimi negativ i rrjeteve sociale në përhapjen e dhunës në familje.