Shtime, 3 korrik 2025- 10 bizneset e para përfituese në kuadër të programit “In Motion”, nënshkruan sot kontratat, program ky i cili po zbatohet në bashkëpunim mes Komunës së Shtimes dhe UNDP-së.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu tha se, ky program ka për qëllim fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmes mbështetjes konkrete.
“Jam i lumtur që kemi këtë bashkëpunim me UNDP-në, që synon t’i ndihmojë bizneset tona të vogla dhe të mesme, sepse ato janë baza e ekonomisë lokale. Pres me padurim të shoh rezultatet dhe ndikimin pozitiv që ky projekt do të ketë tek ta”, tha kryetari i Komunës, Dr.Qemajl Aliu.
Ndërsa, menaxheri i programit “In Motion”, Alban Kryeziu, tha se ky është vetëm fillimi i programit.
“Këto 10 biznese do të jenë model se si mund të zhvillohet e zgjerohet një biznes, duke hapur rrugë edhe për të tjerët që janë në faza të ngjashme të zhvillimit”, tha Kryeziu.
Ky projekt, përveç mbështetjes konkrete për bizneset, synon të ndikojë drejtpërdrejt edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e zhvillimit ekonomik të komunës sonë.