Shtime, 1 korrik 2025- Në një ceremoni të organizuar në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, mori pjesë në ndarjen e certifikatave për mbi 250 të rinj dhe të reja që përfunduan me sukses programet edukative të ofruara nga Flutura Academy.
Shumica prej tyre me përkushtim kanë ndjekur trajnime në fusha kyçe si teknologjia, programimi dhe gjuhët e huaja, që janë themel i zhvillimit dhe konkurrencës në tregun modern të punës.
“Si komunë, për herë të parë kemi subvencionuar falas këta nxënes, sepse besojmë se investimi më i mirë është ai që bëhet në arsim dhe në ngritjen profesionale të gjeneratave të reja”, tha kryetari Aliu, i cili gjithashtu bëri të ditur se do të ofron edhe më shumë mundësi për të rinjtë e Shtimes.
“Shtimja ka potencial, rinia jonë ka energji dhe talent, ndaj detyra jonë është t’i mbështesim, t’u ofrojmë mundësi konkrete dhe kjo është vetëm një prej hapave që po ndërmarrim. Mbështetja për rininë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet”, tha kryetari Aliu.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe Drejtoresha e Drejtorisë së Inovacionit, Hamide Sherifi-Tershani, përfaqësues dhe drejtues të Flutura Academy, drejtues komunalë, zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit si dhe familjarë e qytetarë të shumtë, të cilët ndanë emocionet dhe krenarinë për suksesin e të rinjve tanë.
Në fund të ceremonisë, të rinjtë dhe të rejat e certifikuara ndanë emocionet e tyre, ndërsa u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe platformave edukative si Flutura Academy, për të përgatitur një gjeneratë të aftë e të guximshme.




