Shtime, 27 qershor 2025- Në takimin publik me qytetarët e Shtimes, Kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, prezantoi raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke bërë të ditur të arriturat konkrete dhe projektet e realizuara në këtë periudhë.
Në fjalën e tij, Kryetari Aliu theksoi se investimet që janë realizuar gjatë këtij mandati tashmë kanë kaluar vlerën prej 50 milionë euro, duke prekur çdo sektor jetik për qytetarët, përfshirë infrastrukturën, arsimin, kulturën dhe fusha të tjera me rëndësi.
“Ky ishte një tjetër gjashtëmujor plot punë e investime, që në këtë mandat e tejkalojnë vlerën 50 milionë euro për Shtimen. Realizuam dhjetëra projekte që u bënë realitet dhe përmirësuan jetën e qytetarëve. Ky ishte interval i begatë si për nga volumi i punës, ashtu edhe nga energjia e rezultatet pozitive që kemi arritur bashkërisht. E ardhmja është përpara e ne punët e mira vetëm do t’i shtojmë. Ashtu siç jemi zotuar, Shtimja po merr pamje urbane”, tha kryetari Aliu.
Në këtë takim, ai ftoi veçanërisht edhe bashkatdhetarët që të investojnë në Komunën e Shtimes, duke theksuar se tashmë ekzistojnë kushtet bazike për investime të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik lokal.
Qytetarët e pranishëm përgëzuan Kryetarin Aliu për angazhimin dhe rezultatet konkrete në të mirë të qytetarëve. Ndër ta, qytetari Nazmi Iballi, tha se, edhe pse nuk i takon asnjë partie politike, e përgëzoi kryetarin Aliu për punët e bëra.
“Nuk i takoj asnjë partie politike, por e përgëzoj Kryetarin Aliu për punët e bëra. Me investimet që janë realizuar këto vite, ndjehem krenar që i takoj qytetit të Shtimes”, tha Iballi.
Gjithashtu, Hysen Hoxha, një bashkatdhetar me përvojë mbi 30 vjeçare si mërgimtar, tha se tashmë ndryshimet vërehen në çdo aspekt, por se duhet të kujdesemi sa më shumë edhe për mjedisin që na rrethon.
“Ndryshimet pozitive në Shtime këto vite i sheh gjithsecili. Kam jetuar mbi 30 vite jashtë vendit dhe jam i bindur që Shtimja sot po ecën drejt zhvillimit të vërtetë”, tha Hoxha.