Shtime, 17 shkurt 2026- Ashtu siç din më së miri të sjellë emocion, energji dhe krenari në skenë Ansambli i këngëve dhe valleve “Ilirida”, në bashkëpunim me Ansamblin e këngëve dhe valleve “Kastriotët” nga Ferizaj, përmes një koncerti madhështor përmbyllën në mënyrën më festive aktivitetet për shënimin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Salla ishte e stërmbushur me qytetarë, të cilët me duartrokitje të pandërprera dhe entuziazëm përjetuan një mbrëmje të paharrueshme me këngë e valle tradicionale, duke e kthyer koncertin në një festë të vërtetë të kulturës dhe identitetit kombëtar. Performancat plot ritëm, kostumet shumëngjyrëshe tradicionale dhe interpretimet e përgatitura me përkushtim krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe festive gjatë gjithë mbrëmjes.
Në këtë mbrëmje festive morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, drejtori i Shërbimeve Publike Halil Kurtishi, drejtori i Urbanizmit Bardhyl Rushiti, bashkëpunëtorë institucionalë dhe shumë qytetarë, të cilët e shijuan nga afër këtë spektakël kulturor që bashkoi artin, traditën dhe krenarinë për shtetin.
Ky koncert shënoi kulmin e festimeve në Shtime, duke dëshmuar edhe një herë se kultura dhe arti mbeten forca që bashkojnë dhe e mbajnë gjallë trashëgiminë tonë kombëtare.