Shtime, 15 maj 2025- Në kuadër të një bashkëpunimi mes organizatës SHPIK dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit në Shtime, u organizua një trajnim për 20 mësimdhënës të arsimit fillor (klasat 1 deri në 5), i cili u mbajt në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Shtime.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte përgatitja e mësimdhënësve për zbatimin e lëndës zgjedhore të kodimit, përmes platformës inovative Code.org. Ky program synon të lehtësojë mësimin e koncepteve bazë të programimit në mënyrë të kuptueshme dhe tërheqëse për nxënësit e ciklit të ulët.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me strukturën e materialeve që ofron Code.org, si dhe me strategjitë për ndërtimin e një ambienti edukativ gjithëpërfshirës, ku çdo nxënës mund të përfshihet aktivisht në procesin e të nxënit.