Shtime, 3 gusht 2025- Në kuadër të aktiviteteve për nder të bashkatdhetarëve, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, ka zhvilluar dje një sërë takimesh të veçanta me pjesëtarë të mërgatës, të cilët këto ditë kanë ardhur në vendlindje për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
“Sikurse çdo vit, edhe kësaj radhe, pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres bashkatdhetarët tanë që edhe pse larg në përditshmëri, mbeten gjithmonë afër në zemrat dhe mendjet tona”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se këto takime janë mundësi e mirë për të bashkëbiseduar jo vetëm për arritjet dhe projektet që janë realizuar, por edhe për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi.
“Bashkëbiseduam për projektet që i kemi realizuar dhe mundësitë që lindin kur të gjithë, brenda e jashtë vendit, jemi të bashkuar për të mirën e përbashkët”, tha kryetari Aliu duke i falënderuar përzemërsisht të gjithë qytetarët që ishin pjesë e takimeve.
“Shtimja është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia juaj, e Komuna do të jetë përherë me dyer të hapura për secilin nga ju me ide për zhvillimin tonë të përbashkët”, tha kryetari Aliu.