Shtime, 7 mars 2025- Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka vizituar shkollën “Emin Duraku”, e cila është shkolla e parë shqipe në komunën tonë dhe këtë vit shënon 84 vjetorin e themelimit.
Gjatë vizitës, kryetari Aliu takoi dhe falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin e tyre në edukimin e gjeneratave të reja. Ai vlerësoi kontributin e tyre të çmuar në arsim dhe theksoi rëndësinë e punës së mësuesve në zhvillimin e shoqërisë.
“Arsimi është shtylla kryesore e përparimit të një shoqërie, dhe mësuesit janë ata që çdo ditë përkushtohen për të ndriçuar mendjet e fëmijëve tanë. Falënderim i veçantë për të gjithë ata që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj”, tha kryetari Aliu.
Në shenjë mirënjohjeje, ai u dhuroi lule mësimdhënësve të shkollës, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tyre do të mbeten gjithmonë të çmuara për komunitetin.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtoresha e DKA-së në Shtime, Yllka Fejzullahu, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për punën e palodhur të mësuesve dhe rolin jetik që ata luajnë në edukimin e fëmijëve.
Shkolla “Emin Duraku” u hap në vitin 1941, kur mësuesi i parë, Rexhep Shpendi, nisi mësimin në gjuhën shqipe, duke shënuar një moment historik për arsimin në Shtime. Që atëherë, kjo shkollë ka qenë vatër e dijes dhe edukimit për shumë gjenerata.