Shtime, 5 mars 2025- Në nderim të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, nxënës të shkollës profesionale dhe qytetarë, bënë homazhe në vendet e sakrificës dhe lavdisë kombëtare.
Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave pranë shtatores së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në shenjë respekti për veprën e tij të lavdishme dhe kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Më pas, pjesëmarrësit vazhduan homazhet në varrezat e dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, aty ku prehen ata që dhanë jetën për atdheun.
“Kujtojmë me nderim të gjithë dëshmorët që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës. Çdo akt i tyre dhe çdo kujtim na rikujton përpjekjen e madhe për liri dhe drejtësi. Ishin pikërisht këto sakrifica që bënë të mundur të ardhmen tonë si popull i lirë. Lavdia e tyre nuk shuhet kurrë, sepse e kaluara jonë është themeli mbi të cilin e ndërtojmë të ardhmen”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se kjo ditë është një moment reflektimi dhe riafirmimi i zotimit për të çuar përpara idealet për të cilat ranë dëshmorët. “Liria, dinjiteti dhe shteti i së drejtës mbeten kauza për të cilat do të punojmë çdo ditë.Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi veprës dhe rënies heroike të familjes Jashari”, tha Aliu.
Në shenjë përkujtimi dhe edukimi për brezat e rinj, ora e parë sot në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes ishte orë historike kushtuar Epopesë së UÇK-së. Ndërsa nesër, sipas agjendës së aktiviteteve të organizuara nën patronatin e kryetarit Aliu, nga ora 10:00 do të mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.