Shtime, 19 janar 2025- Në përvjetorin e rënies heroike të Komandantit Ahmet Kaçiku, sot Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me familjarët e dëshmorëve, përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të institucioneve komunale dhe qytetarë, bëri homazhe pranë varrit të këtij heroi të madh.
Gjatë këtij nderimi, buqeta lulesh u vendosën pranë varrit të Komandantit të Brigadës 161 në Zonën Operative të Nerodimës, si shenjë respekti për sakrificën dhe kontributin e tij në shërbim të çlirimit të Kosovës.
“Ahmet Kaçiku, një hero i madh i kombit, ishte i angazhuar në mbrojtjen e trupave nga masakra e Reçakut që nga 15 janari 1999, deri në momentin e rënies së tij heroike më 19 janar të po atij viti.
Do të mbetet një shembull i përhershëm i trimërisë, atdhedashurisë dhe përkushtimit për lirinë e atdheut. Veprat e tij dhe sakrifica sublime do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për brezat e ardhshëm”, tha Aliu.
Ahmet Kaçiku do të kujtohet përherë si simbol i idealeve të lirisë dhe drejtësisë. Kujtimi i tij dhe i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën do të jetë i përjetshëm.
Lavdi dëshmorëve të kombit!