Shtime, 21 gusht 2025- Në fshatin Vojnoc kanë filluar rivitalizimi i plotë i rrugës “Ibrahim Shabani”, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, zv. ministri Jeton Raka si dhe një numër i madh qytetarësh.
Kryetari Aliu, tha se ky projekt është përgjigje ndaj kërkesave të hershme të banorëve të këtij fshati.
“Fshati Vojnoc, per hir së vërtetës në të kaluarën nuk ka qenë shumë i respektuar në aspektin e investimeve. Edhe unë e kam kënaqësinë dhe jam i hapur me qenë para miqve të mi, para bashkëvendësve të mi për të përuruar fillimin e një investimi tjetër të radhës.
Rregullimi i kësaj rruge ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të fshatit Vojnoci dhe fshatrave përreth. Kjo rrugë nuk është mirëmbajtur që nga paslufta dhe ka qenë në gjendje të demoluar. Sot kemi kënaqësinë të nisim një investim të rëndësishëm që do të lehtësojë lëvizjen dhe lidhjen me qytetet fqinje. Pritet që punimet të përfundojnë në fillim të tetorit”, tha kryetari Aliu
Nga ana tjetër edhe Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi.
“Ky është një projekt i merituar për banorët e Vojnocit, të cilët kanë dhënë punë dhe sakrificë për shtetin tonë. Rivitalizimi i rrugës ‘Ibrahim Shabani’, e cila mban emrin e një dëshmori të kombit, është një shenjë respekti dhe përkushtimi për banorët e kësaj ane. Ju e meritoni një infrastrukturë moderne që rrit mirëqenien dhe mban lart dinjitetin tuaj”, tha kryeministri Kurti.
Rruga ka gjatësi mbi 2 kilometra dhe gjerësi 5 metra, ndërsa vlera e investimit arrin në 420 mijë euro. Projekti financohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe pritet të përfundojë në fillim të muajit tetor.
Segment rrugor ka një rëndësi të madhe për lëvizjen e qytetarëve, pasi lidh fshatrat Vojnoc, Grackë dhe Tërrn me komunat përreth.