Shtime, 2 qershor 2025- Në një ngjarje me rëndësi të veçantë për Komunën e Shtimes dhe gjithë shëndetësinë e Kosovës, është vendosur gurthemeli i ndërtesës së re të Entit Special. Ceremonia u mbajt në prani të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, dhe drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë ditë si shumë të rëndësishme për qytetin e Shtimes dhe pacientët që do të përfitojnë nga ky institucion. “Ndërtimi i Entit Special ka qenë një nevojë e kahershme. Ky projekt përbën një lajm të mirë për shëndetësinë në Republikën e Kosovës dhe veçanërisht për Komunën e Shtimes”, tha kryeministri Kurti, duke falënderuar kryetarin Aliu dhe ministrin Vitia për përkushtimin e tyre.
Ndërsa, kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, tha se vendosja e gurthemelit është realizim i një zotimi të dhënë para qytetarëve.
“Ky ka qenë një obligim shoqëror dhe moral për të gjithë ne, që këtyre pacientëve t’u krijojmë kushte më të mira. Kjo po arrihet falë mbështetjes së Qeverisë, kryeministrit Kurti dhe ministrit Vitia”, tha kryetari Aliu.
Edhe Ministri Vitia theksoi se objekti ekzistues nuk i ka plotësuar asnjëherë kushtet për ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe falënderoi kryetarin Aliu për angazhimin dhe vullnetin e treguar për fillimin e këtij projekti, duke thënë se ai ka vepruar me empatinë e një mjeku dhe vendosmërinë e një udhëheqësi të përkushtuar.
Projekti, i cili kap vlerën prej 6.3 milionë euro dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 6800 m², do të përfundojë brenda dy vitesh, duke ofruar kushte moderne për përkujdesje shëndetësore dhe psikosociale për pacientët rezidencialë nga e gjithë Kosova.