Shtime, 16 shkurt 2026- Në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nxënësit e IAAP Shtime edhe një herë mahnitën publikun që kishte mbushur sallën, përmes interpretimit të tyre në premierën e dramës shkollore “Pushka e Nanës”.
Me një paraqitje të fuqishme artistike dhe emocionale, të rinjtë sollën para publikut një rrëfim prekës për sakrificën, dashurinë ndaj atdheut dhe vendimet e vështira që morën shumë familje shqiptare gjatë luftës.
Për ta parë nga afër këtë shfaqje ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, shefi i sektorit të arsimit Lulzim Sahiti, si dhe përfaqësues institucionesh, mësimdhënës, prindër e qytetarë të shumtë.
Ngjarja vendoset gjatë luftës së vitit 1999, ku mërgimtarët dhe familjet në Kosovë përballen me zgjedhjen mes largimit dhe kthimit për atdheun. Lajmet për masakrën e Reçak bëhen moment vendimtar për personazhet, duke i shtyrë drejt sakrificës dhe bashkimit në luftë. Drama kulmon në Koshare, ku përmes dhimbjes dhe guximit shfaqet forca e familjes dhe vendosmëria për liri.
Shfaqja u prit me duartrokitje të gjata, duke dëshmuar edhe një herë talentin dhe përkushtimin e nxënësve, si dhe rëndësinë e artit në ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave kombëtare.