Shtime, 26 Mars 2025 – Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, priti sot në sallën e kuvendit një grup nxënësish të klasës së IX-të, të shkollës fillore “Emin Duraku” nga Shtimja, të shoqëruar nga mësimdhënësja e tyre, Lirie Hasani.
Gjatë këtij takimi, kryesuesi Ademi i informoi nxënësit mbi funksionimin e Kuvendit Komunal, duke shpjeguar procesin e zhvillimit të seancave dhe rolin e institucioneve vendore në qeverisjen lokale. Ai gjithashtu u përgjigj me kënaqësi në pyetjet e ndryshme që nxënësit, me shumë kuriozitet dhe interes, shtruan gjatë bashkëbisedimit.
“Ishte një përvojë e mrekullueshme të ndaja dijen time me brezin e ri. Ata treguan shumë entuziazëm dhe kuriozitet, duke më bërë pyetje nga më të ndryshmet. Shpresoj që ky takim t’i ketë frymëzuar ata që të edukohen më tej, t’i rrisin njohuritë dhe të përpiqen për suksesin e tyre”, tha kryesuesi Ademi duke shtuar se vizita të tilla janë një mundësi e vlefshme për edukimin qytetar të brezave të rinj.