Shtime, 30 qershor 2025- Në edicionin e shtatë të garës, “Kosova Makers League”, nxënësit e Komunës së Shtimes kanë arritur suksese të jashtëzakonshme, duke u renditur të parët në këtë garë.
Shumica e ekipeve pjesëmarrëse nga Shtimja u shpërblyen me çmime dhe vende të larta, duke dëshmuar potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, priti në takim ekipin fitues të vendit të parë, të udhëhequr nga mentori i tyre, Andy Moxon.
Kryetari Aliu shprehu mirënjohje për të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe për rezultatet e arritura.
“Ky sukses është dëshmi se rinia e Shtimes ka talent, vullnet dhe ambicie për të qenë pjesë e inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike. Si institucion, do të vazhdojmë të mbështesim çdo iniciativë që fuqizon të rinjtë dhe krijon mundësi për zhvillimin e tyre”, tha kryetari Aliu.
Ndërsa, mentori i ekipit fitues, Andy Moxon, tha se ndihet krenarë për arritjet e nxënësve dhe falënderoi kryetarin Aliu për përkrahjen e vazhdueshme.
“Jam jashtëzakonisht krenar për punën, përkushtimin dhe suksesin e këtyre të rinjve. Falënderoj Komunën e Shtimes dhe kryetarin Aliu për mbështetjen që na japin vazhdimisht në rrugëtimin tonë drejt inovacionit”, tha Moxon.
Nga dhjetë ekipet finaliste, Shtimja u vlerësua me këto çmime:
Vendi i parë (Cikli 1-5) – Young Innovators, Shtime (mentor Andy Moxon)
Vendi i tretë (Cikli 6-9) – Biblioteka e Qytetit Shtime (mentor: Helena Moxon)
Vendi i katërt (Cikli 6-9) – SHMU “Emin Duraku” Shtime (mentor: Hetem Neziraj).
Gjithashtu, u bë e ditur se ekipet fituese do të përfaqësojnë Shtimen dhe Kosovën në ngjarjen ndërkombëtare të inovacionit dhe kreativitetit “Maker Faire Rome, The European Edition”, e cila do të zhvillohet në muajin tetor në Romë.
Kosova Makers League Open është gara më e madhe e robotikës për shkollat fillore dhe institucionet edukative në Kosovë, e cila zhvillohet për dy cikle shkollore: klasat (1-5) dhe (6-9), për fëmijët e moshës 6 deri në 15 vjeç.
Në fund të takimit, kryetari Aliu falënderoi të gjithë ata që kontribuan në këtë sukses të madh dhe ndau mirënjohje për nxënësit.