Shtime, 14 maj 2025- Në ambientet e shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime, u zhvilluan Garat Komunale të Diturisë 2025 për nxënësit e klasave të 6-ta, 7-ta, 8-ta dhe 9-ta. Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime, me qëllim të nxitjes së dijes dhe shprehjes së aftësive të nxënësve në lëndët mësimore.
Garat u zhvilluan në nëntë lëndë: Gjuhë shqipe, Gjuhë angleze, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Teknologji informative, Histori dhe Gjeografi. Procesi i testimit u monitorua nga zyrtarë të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe zyrtarë të tjerë kompetentë, duke garantuar mbarëvajtjen e drejtë dhe transparente të garës.
Për të parë nga afër garat dhe për të mbështetur pjesëmarrësit, të pranishëm ishin edhe udhëheqësi i Zyrës së Arsimit në Shtime, Lulzim Sahiti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, i cili vlerësoi lart angazhimin e nxënësve dhe përkushtimin e mësimdhënësve në përgatitjen për këto gara.
Në këtë garë morën pjesë gjithesj 215 nxënës nga shtatë shkollat e mesme të ulëta të komunës së Shtimes.
Rezultatet e garës do të publikohen gjatë javës së ardhshme.