Shtime, 7 mars 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të lapidarit të dëshmorit të komunës së Shtimes, Skender Qarri, i njohur me nofkën “Kaçuli”.
Lapidari u ngrit në vendin ku dëshmori ra heroikisht më 15 janar 1999, në ditët më të rënda të luftës në Kosovë, kur popullsia civile e Reçak u përball me një nga tragjeditë më të mëdha të asaj kohe. Skender Qarri qëndroi në mbrojtje të popullsisë civile, duke dëshmuar trimëri dhe sakrificë të jashtëzakonshme për lirinë e vendit.
Me këtë rast, kryetari Aliu tha se ngritja e këtij lapidari është një dëshmi e përhershme e sakrificës së dëshmorëve dhe një kujtesë për brezat që do të vijnë.
“Ky lapidar do të jetë dëshmi për brezat që do të vijnë. Ai do t’u tregojë fëmijëve tanë se në këtë vend ka rënë një njeri që nuk e kurseu jetën për të mbrojtur popullin dhe atdheun e tij”, tha kryetari Aliu.
Lapidari i dëshmorit Skender Qarri-“Kaçuli” do të mbetet një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe i rrugës drejt lirisë së Kosovës.