Shtime, 29 shtator 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, ka përuruar dje përfundimin e punimeve në rrugën që lidh fshatrat Llanisht dhe Devetak, një investim që kryeyari Aliu e cilësoi si historik për zhvillimin dhe dinjitetin e zonave rurale të komunës.
Në këtë ceremoni morën pjesë familjarët e Heroit të Kombit, Imer Devetaku, si dhe të profesorit të ndjerë Ismail Hasani, në nderim të të cilit ky segment rrugor mban edhe emërtim simbolik.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe sepse lidh fshatin Llanisht me fshatin Devetak, duke u kthyer dinjitetin dhe gjallërinë fshatrave që dikur ishin të lëna pas dore. Sot, çdo cep i komunës sonë më në fund lidhet me qytetin, duke u dhënë të gjithëve mundësi të barabarta zhvillimi”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për të lidhur të gjitha fshatrat me qendrën urbane, duke krijuar kushte për zhvillim ekonomik e social në çdo zonë.
“Për katër vjet kemi punuar pa u lodhur për të përmirësuar rrugët e fshatrave tona dhe këtë transformim do ta vazhdojmë”, tha kryetari Aliu.