Shtime, 7 prill 2025- Gjatë vizitës së saj në Komunën e Shtimes, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e komunës, Dr. Qemajl Aliu, vizituan disa nga pikat më të rëndësishme dhe frymëzuese të qytetit, duke u njohur nga afër me zhvillimet dhe përparimet që po ndodhin në komunën tonë.
Vizita filloi në Stadiumin e Qytetit, ku aktualisht janë duke u kryer punimet për ndërtimin e tribunave. Ky projekt madhor me vlerë prej 2.5 milionë euro, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pritet të përfundojë së shpejti. Presidentja Osmani dhe kryetari Aliu pritën përzemërsisht nga përfaqësuesit e shkollës së futbollit “Vjosa”, klubi i hendbollit të vajzave “Vjosa” dhe nga lojtarët e stafi i klubit futbollistik “Vjosa”, të gjithë këta kontribuues të palodhshëm që mbajnë gjallë pasionin dhe frymën sportive në komunën tonë.
Më tej, vizita u zhvendos në Bibliotekën e Qytetit, ku Presidentja pati rastin të takojë një grup të rinjsh të angazhuar në fushën e robotikës, të cilët me përkushtimin dhe kreativitetin e tyre, po tregojnë se rinia e komunës tonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se janë ambasadorë të denjë të inovacionit dhe suksesit edhe në arenën ndërkombëtare.
Ndalesë tjetër e Presidentes Osmani dhe Kryetarit Aliu ishte ndërmarrja vendore “Agrocoop”, një model i shkëlqyer i sipërmarrjes lokale. Ky biznes i suksesshëm përfaqëson punën, përkushtimin dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të komunës, duke kontribuar në mirëqenien e qytetarëve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Kjo vizitë, përveçse nder, ishte edhe motivim për të vazhduar tutje me punë e përkushtim. E falënderoj përzemërsisht Presidenten zonjën Osmani për praninë, vëmendjen ndaj të rinjve, sportit, inovacionit dhe zhvillimit vendor”, tha kryetari Aliu.