Shtime, 14 dhjetor 2025- Në ambientet e Bibliotekës së Qytetit në Shtime, dje është promovuar libri me poezi “Ëndërr e Gozhduar” i poetit, gazetarit, publicistit dhe arsimtarit të nderuar Prof. Muhamet Hoxha.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, dashamirë të librit dhe të artit letrar.
Vëllimi poetik sjell emocione të thella dhe vargje që ruajnë gjallë kujtesën e sakrificës për liri, duke iu kushtuar dëshmorëve të kombit, Prekazit legjendar, Adem Jasharit, si dhe dëshmorëve të UÇK-së nga Beteja e Pashtrikut, ku më 14 dhjetor shënohen 27 vjet nga rënia heroike e 41 ushtarëve, në mesin e tyre edhe 9 nga Komuna e Shtimes.
Vend të veçantë zënë edhe poezitë për dëshmorin e parë të kësaj komune, Ruzhdi Salihun, si dhe për shumë të tjerë që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.
Prof. Muhamet Hoxha, tashmë në pension, ka qenë për dekada mësimdhënës i përkushtuar dhe veprimtar, duke lënë gjurmë të rëndësishme në jetën arsimore e kulturore të Shtimes. Në poezinë e tij pasqyrohen vendlindja, Shtimja, familja, mërgimi dhe sfidat e pasluftës.