Shtime, 26 nëntor 2025- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dje ka vizituar Komunën e Shtimes për të parë nga afër ecurinë e punimeve në stadiumin e qytetit, projekt i cili po finalizohet me një investim prej rreth 2.5 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës, ministri Çeku u shoqërua nga Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, me të cilin vizituan punimet që tashmë ndodhen në fazën përfundimtare. Kryetari Aliu vlerësoi angazhimin institucional dhe rëndësinë e këtij projekti për komunën.
“Punimet janë në fazën e fundit dhe shumë shpejt Shtimja do të ketë një stadium modern, funksional dhe të denjë për sportistët tanë, klubet tona dhe gjithë komunitetin sportdashës. Ky është vetëm një nga projektet e mëdha që Qeveria Kurti ka sjellë për Shtimen. Projekte të tjera pjesë e transformimit të madh tashmë po bëhen realitet në gjithë territorin e komunës sonë”, tha kryetari Aliu.
Nga ana tjetër, ministri Çeku tha se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës sportive në vend.
“Stadiumi i Shtimes, një investim prej rreth 2.5 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, ka hyrë në fazën finale të punimeve. Ky është një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit, mbështetjen e talenteve dhe fuqizimin e rezultateve ndërkombëtare. Shtimja së shpejti do të ketë një stadium modern, në shërbim të komunitetit dhe sportit”, tha ministri Çeku.