Shtime, 12 maj 2025- Në kuadër të shënimit të 12 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime u zhvillua një aktivitet simbolik për të vlerësuar kontributin e infermierëve në shëndetin publik.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me drejtoreshën për Shëndetësi, Mimoza Salihu-Qeriqi, dhe drejtorin e QKMF-së, Ilaz Kadrijaj, vizituan stafin e infermierëve të udhëhequr nga kryeinfermierja Mervete Hasani, për t’i uruar dhe për t’i falënderuar për punën e tyre të përditshme dhe të pazëvendësueshme.
Kryetari Aliu, i cili është vetë me profesion mjek, theksoi se e kupton nga përvoja e tij personale sfidën dhe përgjegjësinë që mbart profesioni i infermierit.
“Infermierët janë shtylla kryesore e sistemit shëndetësor; me përkushtimin dhe humanizmin e tyre, ata janë çdo ditë pranë qytetarëve tanë. Mirënjohje e thellë për punën tuaj të palodhshme”, tha kryetari Aliu.
Ndërsa, Drejtoresha për Shëndetësi, Mimoza Salihu-Qeriqi, falënderoi infermierët për rolin që luajnë çdo ditë në ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për përballjen me sfidat me profesionalizëm.
“Falë përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj, qytetarët ndihen të sigurt dhe të kujdesur. Ju jeni shembulli më i mirë i shërbimit human dhe përgjegjës”, tha Salihu-Qeriqi.
Drejtori i QKMF-së, Ilaz Kadrijaj, shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të stafit të infermierëve, duke vënë në pah se shërbimet cilësore shëndetësore nuk do të ishin të mundshme pa përkushtimin e tyre të përditshëm.
Në kuadër të kësaj dite festive, Oda e Infermierëve ndau mirënjohje për infermierin Skender Hajdari, i cili u vlerësua si punëtori i dalluar i vitit në QKMF-në e Shtimes.
Përveç kësaj, në shenjë respekti dhe vlerësimi për punën e tyre, kryetari Aliu ndau mirënjohje edhe për infermierët e tjerë të kësaj qendre.