Shtime, 9 maj 2025- Në ambientet e Bibliotekës së Qytetit në Shtime u mbajt me sukses Gara Komunale e Robotikës për nxënësit e klasave I – IX, e organizuar nga Komuna e Shtimes në bashkëpunim me Qendrën “Alfa Omega” në Shtime. Ky aktivitet edukativo-arsimor, i cili përkoi me Ditën e Evropës, mblodhi mbi 60 nxënës nga shkollat e komunës, duke nxitur inovacionin, kreativitetin dhe punën në grup mes të rinjve.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe nënkryetari i komunës, Faruk Beqa, i cili vlerësoi lart zhvillimin e fushës së robotikës në komunën e Shtimes.
“Kjo fushë ka bërë që Shtimja të njihet dhe të jetë fituese e shumëfishtë në garat nacionale të Kosovës dhe më gjerë. Dua ta falënderoj në radhë të parë mikun tonë, z. Andy Moxon, së bashku me familjen e tij, si dhe të gjithë ata që kontribuan në arritjen e këtyre rezultateve ekselente në Robotikë. Kjo fushë duket se përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Urime fituesve të sotshëm të garës komunale dhe suksese në garat nacionale”, tha Beqa.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shtime, Albana Fazliu, përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht fituesit, duke thënë se të rinjët tanë po shpalosin talentin e tyre për të ardhmen.
“Gara të tilla jo vetëm që promovojnë dijen dhe kreativitetin, por shërbejnë edhe si një platformë për të rinjtë tanë që të shpalosin talentin dhe të zhvillojnë aftësitë për të ardhmen”, tha Fazliu.
Ndërsa, udhëheqësi i sektorit të arsimit, Lulzim Sahiti, falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin dhe përgatitjen e nxënësve. “Urime të gjithë nxënësve pjesëmarrës për angazhimin dhe rezultatet e treguara, e veçanërisht atyre më të suksesshmëve, të cilët do të përfaqësojnë me krenari Komunën e Shtimes në garën finale”, tha Sahiti.
Falënderim i veçantë iu dedikua Andy dhe Helena Moxon, zyrtares së Bibliotekës, Zejnepe Shala-Zeqa, drejtorit të ShFMU “Lasgush Poradeci”, Adil Qorrolli, si dhe mësimdhënësve Florinda Hoxha, Bekim Krasniqi, Ilirianë Ukaj, Hetem Neziraj dhe Xheneta Krasniqi për angazhimin e tyre në realizimin e kësaj gare të rëndësishme.
Fituesit e Garës Komunale të Robotikës 2025 në Shtime:
Cikli i Ulët (klasat I-V):
• Vendi i parë: Young Innovators – Mentor: Andy Moxon
• Vendi i dytë: Sh.F. “Emin Duraku”, Shtime – Mentore: Florinda Hoxha
Cikli i Lartë (klasat VI-IX):
• Vendi i parë: Biblioteka e Qytetit, Shtime – Mentore: Helena Moxon
• Vendi i dytë: ShFMU “Lasgush Poradeci”, Rashincë – Mentor: Adil Qorrolli
• Vendi i tretë: ShFMU “Emin Duraku”, Shtime – Mentor: Hetem Neziraj
Fituesit e këtyre garave do të përfaqësojnë Komunën e Shtimes në garën finale të Kosova Makers League, e cila do të mbahet në fund të qershorit në Prishtinë.

