Shtime, 29 shtator 2025- Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Zemrës, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr.Vezir Bajrami” organizoi një aktivitet sensibilizues në sheshin e qytetit. Profesionistët shëndetësorë ishin pranë qytetarëve duke ofruar këshilla, shërbime dhe materiale edukative me moton: “Mos humb asnjë rrahje”.
Për të parë nga afër këtë aktivitet ishte edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Shtimes, Mimoza Salihu Qeriqi.
“Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë. Vetëdijesimi dhe parandalimi janë arma më e fortë që kemi kundër sëmundjeve të zemrës, prandaj çdo qytetar duhet të kujdeset për veten dhe familjen e tij”, tha drejtoresha Salihu-Qeriqi.
Ky aktivitet kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjet kardiovaskulare, të cilat përfshijnë infarktin, goditjet në tru, hipertensionin dhe sëmundjet e enëve të gjakut, duke qenë shkaku kryesor i vdekjeve në nivel botëror.
Gjatë këtij aktiviteti u theksua se megjithëse këto sëmundje janë të rënda, ato në masë të madhe mund të parandalohen përmes një stili të shëndetshëm jetese dhe kontrolleve të rregullta mjekësore.