Shtime, 16 maj 2025 – Meqenëse Festa e Abetares është një ngjarje e veçantë në jetën e secilit nxënës të klasës së parë, shkollat e komunës sonë, kanë shënuar këtë ditë festive me karakter mbarëkombëtar.
Në shënimin e kësaj dite nxënësit e klasave të para shprehën aftësitë e tyre të të mësuarit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Me rastin e manifestimit tradicional të Festës së Abetarës, shkolla fillore ” Emin Duraku” me një program të pasur për fëmijë ka shënuar këtë aktivitet shkollor në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ku ishte i pranishëm nënkryetari i Komunës, Faruk Beqa, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, drejtoresha e shkollës, Floretë Abazi-Gashi së bashku me mësimdhënës e prindër të nxënësve.
“Duke mësuar shkronjë pas shkronje, numër pas numri keni arritur të shkruani e lexoni bukur, duke hyrë kështu në universin e madh të dijes, në botën e madhe të librit”, tha nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa.
Ai shprehu respekt për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që kanë punuar gjatë gjithë këtij viti shkollor me fëmijët e tyre.
Drejtoresha e shkollës “Emin Duraku”, Floretë Abazi-Gashi tha se ndihet e nderuar të merr pjesë në këtë festë me këta fatosa të vegjël që jenë pasqyrë e një suksesi të vërtetë, andaj faleminderit për përkushtimin e juaj dhe dëshirën e pashtershme për të mësuar.
Krahas shënimit të Festës së Abetares në institucionin e sipërpërmendur, kjo ditë është shënuar të gjitha shkollat e komunës sonë.