Shtime, 14 shkurt 2026- Sonte, në Shtëpinë e Kulturës, qytetarët e Shtime patën mundësinë të shijojnë shfaqjen teatrale “Komedi në Kështjellë”, vepër e autorit Ferenc Molnár, e vënë në skenë nën regjinë e Ekrem Sopi.
Për ta ndjekur nga afër këtë komedi ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës Adnan Ademi, drejtori i Shërbimeve Publike Halil Kurtishi, si dhe artdashës e qytetarë.
Ngjarja e shfaqjes zhvillohet në një kështjellë në Rivierën Italiane, ku një fejesë vihet në rrezik pasi një bisedë e fshehtë nga e kaluara dëgjohet rastësisht. Për ta shpëtuar dashurinë dhe një premierë të shumëpritur, dramaturgu Sandor Turai përdor një mashtrim gjenial duke e kthyer të vërtetën në teatër brenda teatrit.
Aktorët, Mevlan Saraqi, Uratë Shabani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Jajush Ramadani, Gresë Gashi dhe Dashuri Rexhepi dhuruan interpretime të fuqishme dhe plot energji, duke sjellë momente të shumta humori e emocioni për dashamirët e artit.
Kjo shfaqje njëkohësisht hapi edhe aktivitetet e organizuara për nder të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të cilat po realizohen nën patronatin e kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu.