Shtime, 14 qershor 2025- Në një atmosferë festive, dje është shënuar 80 vjetori i themelimit të shkollës fillore “Avdullah Shabani” në fshatin Carralevë.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili vlerësoi rolin dhe kontributin e mësimdhënësve dhe drejtuesve të kësaj shkolle në formimin e gjeneratave të reja.
“Shkolla ‘Avdullah Shabani’ është dëshmi e përkushtimit të mësimdhënësve ndër vite dhe i vlerave që ka ndërtuar. Është një vatër e dijes që ka ndikuar thellë në rrugëtimin arsimor e njerëzor të nxënësve të saj. Ne do të mbështesim gjithmonë shkolla si kjo, që janë themel i të ardhmes sonë”, tha kryetari Aliu.
Përveç kryetarit Aliu, në këtë përvjetor morën pjesë edhe drejtues të Drejtorisë së Arsimit, drejtues shkolle, mësimdhënës, nxënës, si dhe banorë të shumtë të fshatit, të cilët e ndanë këtë ditë të veçantë me krenari dhe emocion.
Në fund të manifestimit, nxënësit e shkollës kishin përgatitur një program të pasur kulturor me këngë, valle, recitime dhe drama të shkurtra, duke sjellë një atmosferë dhe duke dëshmuar përkushtimin dhe talentin që kultivohet brenda kësaj shkolle.