Shtime, 13 dhjetor 2025- Komuna e Shtimes po vazhdon realizimin e investimeve në sektorin e arsimit, si prioritet institucional nga kryetari i Komunës, dr. Qemajl Aliu.
Këto investime po zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të planifikuar pothuajse në të gjitha institucionet arsimore, me synim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Aktualisht, në 15 objekte arsimore janë duke u zhvilluar punime ose pritet të nisin investime, përfshirë:
SHML “Naim Frashëri” në Shtime, Shkollën e Mesme Profesionale, SHF “Emin Duraku” në Shtime dhe në Lagjen e Pajtimit, SHMU “Emin Duraku” në Shtime, SHFMU “Hasan Prishtina” në Godanc, SHFMU “Lasgush Poradeci” në Rashincë, SHFMU “Avdulla Shabani” në Carralevë, SHFMU “Bajram Curri” në Petrovë dhe Mollopolc, si dhe çerdhet në Petrovë dhe Carralevë. Po ashtu, investime po realizohen edhe në sallat sportive në Zborc, Godanc, Rashincë dhe Reçak.
Lidhur me këto investime, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, tha se, punimet përfshijnë renovimin e nyjeve sanitare, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, rregullimin e sistemeve të ngrohjes, ngjyrosjen e klasave, përmirësimin e oborreve, ndriçimit të jashtëm dhe këndeve të lojërave, si dhe krijimin e hapësirave të gjelbra dhe edukative. Paralelisht, ka nisur edhe restaurimi i përgjithshëm i Gjimnazit “Naim Frashëri” në Shtime.
“Investimet në arsim janë investime në të ardhmen. Po punojmë çdo ditë, pa u ndalur, që nxënësit dhe mësimdhënësit tanë të kenë kushte dinjitoze, ambiente të sigurta dhe hapësira motivuese për mësim dhe zhvillim”, tha Sahiti, duke shtuar se këto projekte dëshmojnë përkushtimin që arsimi të mbetet prioritet, duke krijuar kushte më të mira për brezat e tanishëm dhe ata që vijnë.
Krahas këtyre investimeve, sipas Sahitit, po punohet edhe në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemeve të ngrohjes në të gjitha institucionet arsimore, me qëllim sigurimin e një ambienti të ngrohtë, të sigurt dhe të përshtatshëm për mësim gjatë sezonit dimëror.