Shtime, 9 tetor 2025- Është nënshkruar sot kontrata për inventarizimin dhe realizimin e muzeut të Shtabit të Rancës, projekt i rëndësishëm që shënon një hap të ri në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë historike.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, priti në takim, Imer Hakaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM), dhe përfaqësues të këtij institucioni.
Pas takimit, përfaqësues nga Komuna e Shtimes, së bashku me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, përfaqësues të AMMKM-së, si dhe kryetarin aktual të OVL-UÇK, dega në Shtime, Baki Rashiti, vizituan nga afër Shtabin në fshatin Rancë, së bashku me operatorin ekonomik që do të realizojë projektin.
Ky investim do të mundësojë ruajtjen, dokumentimin dhe muzeralizimin e këtij vendi me vlera të veçanta historike, duke e kthyer atë në një hapësirë të denjë për kujtesën e lavdishme të luftës së UÇK-së dhe sakrificës për liri.
Projekti mbështetet nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM) dhe ka vlerë prej rreth 40 mijë euro.