Shtime, 2 shkurt 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, ka pritur në një takim Presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, si dhe anëtarin e Bordit të FHK-së, Isak Osmani, ku u diskutua për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe perspektivën e hendbollit në vend.
Gjatë takimit u bisedua lidhur me mundësinë e ndërtimit të Qendrës Nacionale të Hendbollit në qytetin e Shtimes, projekt që planifikohet të realizohet në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kryetari Aliu shprehu gatishmërinë dhe interesimin e komunës për të bashkëpunuar dhe kontribuar në realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se ndërtimi i qendrës do të ishte një vlerë e shtuar për të rinjtë, komunitetin lokal dhe sportin kosovar në përgjithësi.
” Me, z. Edi Kolgeci, zhvilluam bisedë të frytshme, të hapur dhe konstruktive lidhur me mundësinë e ndërtimit te Qendrës Nacionale të Hendbollit në qytetin e Shtimes, në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, ku shpreha gatishmërinë dhe interesimin për bashkëpunim dhe kontribut konkret në zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke besuar se ky projekt përbën vlerë të shtuar për komunën tonë, të rinjtë, komunitetin dhe sportin kosovar në tërësi”, tha kryetari Aliu.
Nga ana e tij, presidenti i FHK-së, Edi Kolgeci, theksoi se ideja për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Hendbollit ishte tema kryesore e takimit, ndërsa diskutimet u fokusuan në hapat e mëtejmë për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e hendbollit në Kosovë. Ai e vlerësoi shumë pozitive vizitën në Shtime dhe falënderoi kryetarin Aliu për gatishmërinë dhe mbështetjen në avancimin e projektit.
Kolgeci gjithashtu theksoi se lokacioni i paraparë për ndërtimin e qendrës ofron kushte shumë të mira për aktivitete të ndryshme sportive dhe se priten takime të tjera me institucionet qendrore për të shtyrë përpara realizimin e projektit, me synimin që punimet të nisin sa më shpejt.