Shtime, 26 korrik 2025- Dita e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, u shënua me homazhe dhe akademi përkujtimore në nder të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Ceremonitë përkujtimore nisën me homazhe dhe vendosjen e buqetave me lule pranë shtatores së Kryekomandantit Adem Jashari dhe vijuan në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Reçak, Mollopolc dhe në Zborc, te lapidari i dëshmorit të parë të Komunës së Shtimes, Ruzhdi Salihu.
Në këtë ditë nderimi, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, së bashku me përfaqësues të OVL të UÇK-së, familjet e dëshmorëve, përfaqësues institucionalë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, kujtuan me respekt e mirënjohje çdo sakrificë për liri.
Duke vlerësuar lart sakrificën e dëshmorëve, kryetari Aliu, tha se dëshmorët janë më meritorët për gjithçka që ne e brezat pas nesh do të gëzojnë në vendin tonë.
“I përjetshëm është e do të mbetet kujtimi ynë për pishtarët që e ndriçuan rrugën e lirisë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Shtimes dhe të gjithë kombit” tha kryetari Aliu.
Gjithashtu, për nder të kësaj dite, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, u mbajt edhe Akademia Përkujtimore, ku u rrëfyen kujtime të fuqishme e mbresëlënëse, duke ridëshmuar të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë.
“Kjo ditë është një kujtesë e përhershme për sakrificën e të rënëve, që me gjakun e tyre u ngritën në themelet e lirisë sonë. Ne kemi obligimin moral e institucional që emrat e tyre të ndritin përgjithmonë dhe të lartësohen brez pas brezi”, tha kryetari Aliu
Me këtë rast edhe, kryetari i OVL të UÇK-së, Isak Musliu, mbajti një fjalë përshëndetëse, ndërsa, Avdyl Hajredini mbajti fjalën tematike kushtuar dëshmorëve të komunës së Shtimes, në emër të Shoqatave të Dalura nga Lufta foli Xhavit Jashari.
Në përmbyllje të akademisë, kori i qytetit u paraqit para të pranishmëve me këngë korale, duke e mbyllur këtë akademi me emocione të veçanta respekti dhe mirënjohjeje.
Në kuadër të kësaj dite, përfaqësues të institucioneve të Komunës së Shtimes, edhe dje zhvilluan homazhe në Vojnoc, Belinc dhe Carralevë, Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Suharekë, Kleçkë dhe Koshare.