Shtime, 5 maj 2025- Në sallën e Kuvendit të Komunës së Shtimes sot është mbajtur një takim publik me qytetarët, ku kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, përfaqësues nga KEDS-i dhe nga zyra projektuese prezantuan detaje rreth projektit për shtrimin e rrjetit nëntokësor të kabllove në pjesë të ndryshme të qytetit.
Ky projekt do të zhvillohet në sheshin “Ahmet Shtimja”, si dhe në rrugët “Tahir Sinani” dhe “14 Dhjetori”. Kryetari Aliu theksoi rëndësinë e këtij investimi duke thënë se ky projekt është pritur qe një kohë të gjatë.
“Ky projekt është pritur kaherë nga qytetarët dhe do të sjellë përmirësim të dukshëm në infrastrukturën energjetike të qytetit tonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe sigurinë publike”, tha kryetari Aliu.
Përfaqësuesi i zyrës projektuese bëri të ditur se punimet pritet të zgjasin maksimalisht dy muaj e gjysmë dhe do të realizohen me kujdes të veçantë për të mos penguar aktivitetin e bizneseve në zonat përkatëse.
Gjatë takimit, qytetarët e pranishëm parashtruan pyetje lidhur me ndërhyrjet që do të bëhen në zonat ku ata zhvillojnë veprimtarinë e tyre afariste. Përfaqësuesit institucionalë dhanë përgjigje konkrete, duke siguruar se do të ketë bashkëpunim të ngushtë gjatë gjithë kohës së realizimit të projektit.