Shtime, 20 gusht 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, së bashku me drejtoreshën e DKRS-së në Shtime, Albana Fazliu kanë pritur sot në një takim zyrtar kryetarin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgecin, kryetarin e klubit të hendbollit të meshkujve, Ruzhdi Shaqirin, si dhe sekretarin e klubit të hendbollit të vajzave, Avni Durakun.
Qëllimi i këtij takimi ishte zhvillimi i hendbollit në Komunën e Shtimes dhe mbështetja nga institucionet qendrore, lokale dhe sidomos nga bizneset vendore.
Kryetari Aliu, tha se hendbolli ka traditë në qytetin e Shtimes dhe dihet rëndësia e këtij sporti për qytetarët tanë.
“Hendbolli ka traditë të gjatë në Shtime dhe është detyrë e jona që ta mbështesim. Jam angazhuar personalisht që të krijojmë ura bashkëpunimi edhe me bizneset lokale, në mënyrë që klubet tona të kenë përkrahjen e duhur”, tha kryetari Aliu
Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, siguroi kryetarin Aliu se federata është e gatshme të ndihmojë klubet në vazhdimësi, duke ofruar përkrahje institucionale dhe profesionale.
Në këtë takim, kryetari Aliu gjithashtu informoi të pranishmit se Palestra e Sporteve në Shtime tashmë është plotësisht e renovuar dhe ofron kushte moderne për zhvillimin e sporteve, përfshirë edhe hendbollin.