Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e Nënës së Dëshmorit të Kombit, Ahmet Kaçiku, Nënës Velime Kaçiku.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, përmes telegramit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së ndjerë dhe bashkëluftëtarëve të heroit Ahmet Kaçiku.
“Sot u nda nga jeta gruaja e cila mishëroi qëndresën, besimin dhe dashurinë për atdheun, nëna Velime Kaçiku që është nëna e dëshmorit të kombit, Ahmet Kaçiku, dhe e dy bijve veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hesetit dhe Lumnijes.
Jeta e saj ishte shembull i rrallë i dinjitetit ndaj vendit. Me zemër të madhe, ajo përballoi dhimbjet e mëdha që i solli lufta, por asnjëherë nuk humbi besimin në drejtësinë e sakrificës që bënë bijtë e saj dhe gjithë bijtë e Kosovës.
Nëna Velime do të kujtohet gjithmonë si figurë e nënës shqiptare që i qëndroi kohës me krenari e me dinjitet. Trashëgimia e saj është kujtesë për ne se liria jonë u ndërtua mbi gjakun dhe durimin e nënave të tilla, që e deshën Kosovën me gjithë shpirtin e tyre.
Në emrin tim personal dhe të Komunës së Shtimes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kaçiku, për të afërmit e tyre dhe për gjithë ata që ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje.
U prehtë në paqe shpirti i nënës Velime dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilin ra dëshmor i biri i saj Ahmeti”, mbyllet telegrami i ngushëllimit.