Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të njërit ndër figurat më të shquara të komunitetit tonë, z. Sadik Hysenaj, afarist i dalluar, ndërmarrës vizionar, humanist i përkushtuar dhe njeri i urtësisë e vlerave të rralla.
Sadik Hysenaj ishte emër i njohur në fushën e biznesit dhe një nga pionierët e ndërmarrësisë në vendin tonë, prej njerëzve të parë që me guxim, dije, ndershmëri dhe përkushtim krijoi një ndërmarrje të qëndrueshme në industrinë e prodhimit të mobiljeve.
Ajo që e bënte Sadikun vërtet të veçantë, ishin përmasat e tij njerëzore. Ai ishte mishërim i virtyteve të burrërisë, urtësisë, dashurisë për vendin dhe solidaritetit njerëzor. Me zemër të madhe e duar të hapura për t’i dalë në ndihmë kujtdo në nevojë, ai mbeti gjithmonë pranë komunitetit, si në gëzime e hidhërime, në zhvillime e sfida.
Sadiku ishte model i njeriut që do të lë gjurmë të thella në jetën ekonomike, shoqërore dhe humane të komunës sonë. Do të mbahet mend për veprat e tij madhështore, për humanizmin e tij të lartë, për përkushtimin që i tregoi çdo kauze të drejtë dhe për dashurinë e palëkundur ndaj vendlindjes dhe njerëzve të saj.
Në këto çaste të dhimbshme, u shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta familjes së nderuar Hysenaj, farefisit, miqve të tij të shumtë dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin këtë burrë të madh dhe të rrallë. Humbja e tij nuk është vetëm dhimbje për familjen, por zbrazëti për të gjithë ne që e patëm afër dhe e çmuam për gjithçka që përfaqësonte.
I përjetshëm qoftë kujtimi për bacen Sadik e i lehtë i qoftë dheu i Kosovës!