Shtime, 22 mars 2025-Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Komunale “Ekosistemi”, një nismë e shumëpritur për qytetin e Shtimes.
Me këtë vendim, Komuna e Shtimes ka tashmë ndërmarrjen e saj, e cila do të angazhohet për mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastrimin dhe zhvillimin e mjedisit në qytet dhe fshatra.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të shëndetshëm dhe një cilësie më të lartë të jetesës për të gjithë qytetarët.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për komunën tonë. Ndërmarrja ‘Ekosistemi’ do të jetë shtylla kryesore për një qytet më të pastër dhe më të organizuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e banorëve tanë.
Bashkë për një Shtime më të pastër dhe më të gjelbër”, tha kryetari Aliu.
Me këtë ndërmarrje të re, Komuna e Shtimes synon të ofrojë shërbime më efikase dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit, ku angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe qytetarëve do të luajë një rol kyç në suksesin e kësaj nisme.