Shtime, 16 janar 2026- Në një atmosferë të veçantë, të mbushur me emocion dhe frymë përkujtimore, në fushën e sportit “Arbëri” në Reçak u zhvillua Turniri Memorial “Ditët e Reçakut”, i organizuar me përkushtim nga të rinjtë e fshatit Reçak. Ky aktivitet sportiv u shndërrua në një ngjarje të rëndësishme, duke bashkuar sportdashës, familjarë dhe qytetarë nga komuna jonë.
Turniri i futbollit mblodhi dhjetëra ekipe pjesëmarrëse, të cilat ofruan ndeshje të forta dhe garë të ndershme gjatë gjithë zhvillimit të tij.
Para finales, u zhvillua edhe loja hapëse nga grupmosha U-10, ku futbollistët e vegjël dhuruan emocione dhe entuziazëm, duke u pritur me duartrokitje nga të pranishmit.
Finalja e turnirit u luajt mes ekipeve “Bau Service” dhe “Mercedes Geti”, në një përballje mjaft interesante.
Pas 30 minutave lojë, ekipi “Mercedes Geti” arriti të triumfojë dhe të shpallet fitues i këtij edicioni të turnirit memorial.
Pas përfundimit të finales, u bë ndarja e çmimeve për ekipet dhe individët më të dalluar të turnirit.
I pranishëm në këtë ngjarje së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, ishte edhe Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilët ndanë trofeun për ekipin fitues.
Me këtë rast, kryetari Aliu vlerësoi lart angazhimin e të rinjve të fshatit Reçak, duke theksuar rëndësinë e organizimit të aktiviteteve sportive që ruajnë kujtesën kolektive dhe promovojnë vlerat e sportit.
Në fund organizatorët, falënderuan të gjitha ekipet pjesëmarrëse për korrektësinë, lojën fer dhe kulturën sportive të treguar gjatë gjithë turnirit memorial “Ditët e Reçakut”.
