VAZHDOJNË PUNIMET PËR RREGULLIMIN E PARQEVE NË HAPËSIRAT PUBLIKE
Shtime, 5 korrik 2019 – Komuna e Shtimes në fillim të nëntorit të vitit të kaluar ka nisur projektin për rregullimin e parqeve në hapësirat publike në Vojnovc, Gjurkovc, Godanc, Belinc, Carralevë, Pjetershticë, Zborc, Mollopolc dhe Reçak. Aktualisht është duke u ndërtuar parku i vogël në hyrje të Mollopolicit si dhe tek Sheshi i Flamurit, pranë lumit Mollopolci. Për të parë nga afër punimet që janë duke u realizuar nga firma ndërtimore “LEDI ING” shpk, kanë dalë në terren drejtori i Shërbimeve Publike, Halil Halili së bashku me përgjegjësin e Ndërtimit, Fatmir Rexhepi.
Vlera e përgjithshme e projektit për rregullimin e parqeve në hapësirat publike në fshatrat e sipërpërmendura është 66,394.00 euro, bënë të ditur drejtori i DSHP-së, Halil Halili. Ai në vazhdim tregon se deri në nëntor të këtij viti do të ndërtohen 15 parqe në vendbanimet e komunës se Shtimes, me qëllim që qytetarët tanë të kenë hapësira publike ku të çlodhen dhe të kalojnë kohën e lirë.
“Me projekte të kesaj natyre do të vazhdojmë edhe në vitin 2020 dhe të gjitha vendbanimet e komunës sonë do te kenë hapësira te gjelbërta dhe parqe”, thotë ndër të tjera drejtori Halili.