Shtime, 26 gusht 2026- Me rastin e 28 vjetorit të rënies së martirëve të fshatit Rancë, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, së bashku me familjarët e martirëve, bashkëpuntorë, përfaqësues të institucioneve lokale, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrezat e martirëve të fshatit Rancë, në nderim të 12 viktimave të familjes Asllani, të vrarë më 26 gusht 1998 nga forcat serbe.
Më 26 gusht 1998, një predhë e artilerisë serbe goditi rimorkion ku ndodheshin anëtarë të familjes Asllani, duke shkaktuar vrasjen e 11 civilëve të pafajshëm, mes tyre tetë fëmijë dhe tri gra. Po atë ditë, u ekzekutua edhe 98 vjeçari Zeqir Asllani.
Duke kujtuar këtë krim të rëndë, Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe të së vërtetës historike.
“Kujtimi i martirëve të Rancës na obligon të mos e harrojmë të kaluarën, ta ruajmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për krimet e kryera. Përulja para sakrificës së tyre është detyrim i yni dhe kujtesa për ta nuk duhet të zbehet kurrë”, tha kryetari Aliu.
Në këtë ditë përkujtimore u nderuan:
1. Jalldyze Murat Asllani (64 vjeçare)
2. Halide Feriz Asllani (36 vjeçare)
3. Ajshe Feriz Asllani (27 vjeçare)
4. Burim Isak Asllani (13 vjeçar)
5. Lumnije Isak Asllani (12 vjeçare)
6. Ejup Isak Asllani (10 vjeçar)
7. Luljeta Isak Asllani (7 vjeçare)
8. Shpend Isak Asllani (5 vjeçar)
9. Xhafer Isak Asllani (3 vjeçar)
10.Antigona Isak Asllani (1 vjeçare)
11. Albiona Musë Asllani (6 muajshe) dhe
12. Zeqir Asllani, që u ekzekutua një orë më vonë nga afërsia.
Lavdi e përjetshme martirëve të familjes Asllani dhe të gjithë martirëve e dëshmorëve të kombit!