Shtime, 19 maj 2025- Në shënim të Ditës Botërore të Hipertensionit, QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime organizoi një aktivitet sensibilizues në sheshin e qytetit, me qëllim vetëdijësimin për rreziqet e hipertensionit dhe rëndësinë e kontrollit të rregullt të tensionit të gjakut.
Ekipet mobile të QKMF-së, ofruan matje të tensionit dhe sheqerit në gjak, si dhe këshilla për stilin e jetesës së shëndetshme. Aktiviteti u përkrah edhe nga drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi dhe drejtori i QKMF “Dr.Vezir Bajrami”, Ilaz Kadrijaj, të cilët vlerësuan angazhimin për promovimin e shëndetit publik.
Qytetarët u treguan të interesuar dhe mirënjohës për këtë nismë që synon parandalimin e sëmundjeve dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet shëndetësore.