Shtime, 18 qershor 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Vizita u zhvillua në frymën e miqësisë së ngushtë dhe partneritetit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që Komuna e Shtimes ka ndërtuar me partnerët gjermanë.
Gjatë qëndrimit në Shtime, kryetari Aliu dhe ambasadori Rudolph bënë homazhe në Memorialin e Reçakut, ku nderuan kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm të vrarë në masakrën e Reçakut, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen më të thellë për sakrificën e tyre.
Vizita vazhdoi në fshatin Godanc, ku u vizitua çerdhja e re dhe ku mysafirët u pritën me ngrohtësi nga fëmijët dhe stafi i institucionit. Më pas, ata qëndruan pranë Klubit të Volejbollit për vajza “Vjosa”, duke parë nga afër punën, talentin dhe përkushtimin e sportisteve të reja.
Në përmbyllje të vizitës, kryetari Aliu dhe ambasadori Rudolph vizituan Parkun NRW në fshatin Davidovc, një simbol i bashkëpunimit dhe miqësisë së ndërtuar ndër vite ndërmjet partnerëve kosovarë dhe gjermanë.
“Si Komunë e Shtimes, jemi të lumtur që këtë partneritet po e shtrijmë edhe në nivel lokal, përmes bashkëpunimit me Qarkun UNNA, falë angazhimit të deputetit Hartmut Ganzke, MdL, njëkohësisht edhe qytetar nderi i komunës sonë, të cilin e falënderojmë për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj kësaj lidhjeje të veçantë.
Faleminderit Ambasador Rudolph për vizitën dhe për vëmendjen që i kushtuat komunës sonë sot. Mirëpresim që këto ura bashkëpunimi të vazhdojnë të forcohen edhe më tej”, tha kryetari Aliu.
Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, ndërsa vizita e ambasadorit Rudolph në Shtime dëshmon për vazhdimësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.