Shtime, 15 shtator 2026- Komuna e Shtimes, për të tretin vit radhazi, zhvilloi procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të marrin rol aktiv në vendimmarrjen për investimet publike.
Në kuadër të këtij procesi, përveç buxhetit të rregullt që Komuna e Shtimes ndan për investime, banorëve të Pjetërshticës iu mundësua të vendosin drejtpërdrejt se si do të shpenzohen 25 mijë euro, të ndara për realizimin e një projekti në këtë fshat.
Përmes votimit të drejtpërdrejtë, banorët e Pjetërshticës vendosën që këto mjete të shfrytëzohen për ndërtimin e një parku në hapësirën ku janë të vendosura shkronjat e UÇK-së, projekt ky që do të financohet dhe realizohet nga Komuna e Shtimes.
Në këtë takim morën pjesë nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, drejtorë nga ekzekutivi komunal, si dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahman Jakupi.
Përmes Buxhetimit me Pjesëmarrje, qytetarët jo vetëm që propozojnë projekte, por përmes votës së tyre të drejtpërdrejtë përcaktojnë se cili projekt do të financohet nga buxheti komunal.