Shtime, 3 gusht 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, priti në një takim përfaqësues të Institutit Albanologjik, me të cilët diskutoi për rëndësinë e ruajtjes, promovimit dhe pasurimit të trashëgimisë kulturore e shkencore, si dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional.
Pas takimit, delegacioni i Institutit Albanologjik, i përbërë nga Adil Olluri, Zana Hoxha, arkeologe, Vlora Fetaj-Berisha, studiuese e folklorit, dhe Blerona Zylfiu, përgjegjëse e Burimeve Njerëzore në Institut së bashku me kryetarin Aliu, vizituan Bibliotekën e Qytetit në Shtime, ku dhuruan 300 ekzemplarë të botimeve shkencore.
Kryetari Aliu i falënderoi për këtë kontribut të rëndësishëm, duke vlerësuar punën dhe misionin e Institutit Albanologjik. Ai theksoi se pasurimi i bibliotekës me tituj shkencorë krijon mundësi më të mëdha për studiuesit, studentët dhe të gjithë lexuesit e interesuar, duke e bërë bibliotekën një qendër edhe më të rëndësishme të dijes.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit Albanologjik përgëzuan kryetarin Aliu për investimin në objektin e ri të Bibliotekës së Qytetit, duke e cilësuar atë si një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze, e cila krijon kushte të shkëlqyera për lexim, studim dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore e shkencore.