Shtime, 15 prill 2026- Komuna e Shtimes, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, sjell komedinë “Buongiorno” nga Teatri “Teuta”,Ulqin.
Pas premierës që do të mbahet më 21 prill në Ulqin, shfaqja do të vijë edhe në Shtime më 24 prill, ora 20:00, në Shtëpinë e Kulturës, me hyrje falas për te gjithë.
Kjo komedi trajton me humor dhe realizëm temat e përditshmërisë si: jeta e dyfishtë, intriga, bullizimi dhe ndikimi i teknologjisë në marrëdhënie. Ngjarja zhvillohet gjatë një darke mes katër miqve dhe partnerëve të tyre, ku një lojë e pazakontë me telefonat zbulon sekrete, gënjeshtra dhe të vërteta të fshehura, duke vënë në provë miqësinë dhe besimin mes tyre.
Komuna e Shtimes shpreh mirënjohje të veçantë për ambasadorin Bernard Çobaj për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen në realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore.
Në skenë do të performojnë: Bashkim Alaj, Armend Zeqiri, Albana Kurti Zeçeviq, Blerta Kurti, Muho Uruçi, Arbër Seferi dhe Amra Demiri. Producent është Munib Abazi, skenografia dhe kostumografia nga Jetmira Hoxha, ndërsa regjia nga Edina Mustafiq Avdiu.
Mos e humbisni këtë shfaqje, një kombinim perfekt i humorit, realitetit dhe emocioneve!