Shtime, 31 korrik 2026- Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tashmë tradicionalisht po organizohet manifestimi “Ditët e Bashkatdhetarëve”, i cili synon të forcojë lidhjen e mërgatës me vendlindjen dhe të shprehë mirënjohjen për kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Me këtë rast, në oborrin e Komunës së Shtimes u organizua një koktej pritës, ku kryetari Aliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, mirëpriti bashkatdhetarët që kanë ardhur për pushime në vendlindje.
Në fjalën e tij, kryetari Aliu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe kontributin e mërgatës ndaj atdheut në çdo periudhë kur vendi ka pasur nevojë, duke theksuar se lidhja e tyre me vendlindjen mbetet e pathyeshme.
“Kur mblidhemi bashkë, vendlindja jonë merr jetë! Ndamë çaste të mrekullueshme në takimin me bashkatdhetarët tanë. Largësia nuk e zbeh asnjëherë dashurinë për shtëpinë, dhe sonte e dëshmuam sërish se sa e fortë është lidhja jonë. Faleminderit nga zemra secilit prej jush që ndau kohën dhe energjinë e mirë me ne”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se nuk duhet të harrojmë se përkrahja e mërgatës ka qenë dhe vazhdon të jetë e çmuar dhe e pakursyer për vendin tonë.
Nga ana tjetër, bashkatdhetarët falënderuan kryetarin Aliu për organizimin tradicional të “Ditëve të Bashkatdhetarëve”, duke vlerësuar se aktivitete të tilla i afrojnë edhe më shumë me vendlindjen dhe krijojnë mundësi për takime e bashkëbisedime. Ata shprehën gjithashtu mirënjohjen për punën, projektet dhe investimet që po realizohen në Komunën e Shtimes, duke theksuar se zhvillimi i vazhdueshëm i komunës po krijon kushte gjithnjë e më të mira për qytetarët dhe për mërgimtarët që rikthehen çdo vit në vendlindje.