Shtime, 25 korrik 2026- Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, me rastin e shënimit të 26 Korrikut-Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, sot kanë nisur aktivitetet përkujtimore kushtuar nderimit të dëshmorëve, të cilët me sakrificën dhe gjakun e tyre bënë të mundur lirinë që gëzojmë sot.
Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, së bashku me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Shtime, drejtorë të kabinetit qeverisës, përfaqësues të institucioneve, zyrtarë komunalë dhe qytetarë, bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule në vendet e kujtesës historike.
Homazhet nisën në fshatrat Vojnoc, Belinc dhe Carralevë, për të vazhduar më pas në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Suharekë, Kleçkë dhe Koshare, vende që dëshmojnë sakrificën, qëndresën dhe rrugën e popullit tonë drejt lirisë.
Aktivitetet përkujtimore do të vazhdojnë edhe nesër, më 26 korrik, sipas kësaj agjende:
Ora 09:00- Homazhe dhe vendosja e buqetave me lule te Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Reçak dhe Mollopolc.
Ora 10:00- Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, të pasuara me vizitë në Kompleksin Përkujtimor, ku të pranishmit do të kenë mundësi të shohin nga afër investimet e realizuara.
Ora 11:00- Në Shtëpinë e Kulturës do të mbahet Akademi Përkujtimore, e shoqëruar me shfaqjen e një dokumentari kushtuar dëshmorit Sadik Mujota.
Ora 10:00-15:00- Në Xhaminë e fshatit Rashincë do të organizohet aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut, aktivitet i organizuar nga të rinjtë e fshatit, në shenjë solidariteti dhe nderimi për dëshmorët.
Komuna e Shtimes fton qytetarët të marrin pjesë në këto aktivitete përkujtimore, për të nderuar me dinjitet veprën dhe sakrificën e dëshmorëve, të cilët mbeten themel i lirisë dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.